Telegrafi

Mosvendosja e sanksioneve nga Serbia ndaj Rusisë – ‘truri ekstremist i Vladimir Putinit’, Dugin: Aleksandar Vuçiq ka bërë gjënë e duhur

Filozofi rus Aleksandar Dugin i njohur si “truri ekstremist i Vladimir Putinit”, thotë se mosvendosja e sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë është vëllazërore.

Dugin ka theksuar se veprimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq janë të duhura.

“Është plotësisht e kuptueshme se çfarë po bën presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ne e vlerësojmë atë që po bën Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ndihmon shumë në këtë situatë kritike. Shmangia e sanksioneve kundër Rusisë është një akt heroik, do t’i kushtojë Serbisë, do të përpiqet t’ju ndëshkojë përsëri, siç kanë bërë në 25-30 vitet e fundit”, ka theksuar Dugin.

Ky filozof është i njohur për pikëpamje mesjetare, raciste, shoviniste për çdo gjë në botë.

Në dokumentarin VIRUSSIA, Dugin mendon që të drejtat e njeriut, liritë individuale, nuk duhet të ekzistojnë fare.

Sipas tij, ballafaqimi i Rusisë dhe Evropës është konfrontim midis globalizmit dhe anti-globalizmit duke kërkuar rikthimin e projektit të Rusisë Perandorake.

Kujtojmë se Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas agresionit ushtarak të kësaj të fundit në Ukrainë. /Telegrafi/