Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së ka njoftuar se ka evidentuar raste të mospërputhjes së të dhënave në mes të certifikatës së statusit dhe listat elektronike që posedojnë në zyrë, për të cilat nuk mund të lëshojë vërtetime.
Kjo zyrë, përmes një komunikate, ka njoftuar gjithashtu se në mungesë të dosjeve fizike të cilat janë të sekuestruara në vitin 2017 nga Prokuroria Speciale, nuk kanë mundësi të lëshojnë kopje të certifikatave.
“Ju njoftojmë se në koordinim me zyrën ligjore të Kryeministrit dhe zyrën e Avokatit të Shtetit, ju kemi drejtuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore me propozim për takim të përbashkët, ku do të diskutohet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të diskutohet për këto paqartësi teknike që lidhen me punën e përditshme të Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që derivon nga Ligji nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, ligjit përkatës për veteranët e UÇK-së dhe legjislacioni tjetër në fuqi. Jemi në pritje të konfirmimit të propozimit për takim”, thuhet në njoftimin e Zyrë për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së. /Telegrafi/