Telegrafi

Mospajtime buxhetore me Macron, largohet shefi ushtarak

Shefi i forcave të armatosura të Francës, Pierre de Villiers, ka paraqitur dorëheqje pas një mospajtimi me presidentin, Emmanuel Macron, lidhur me shkurtimet buxhetore.

Në deklaratën e sotme, gjenerali Villiers tha se nuk ndjen se mund ta udhëheq një armatë “për të cilën mendoj se është e domosdoshme të garantoj mbrojtje të Francës dhe popullit francez”.

Mospajtimi ndërmjet presidentit Macron, 39 vjeçar, dhe gjneralit de Villiers, 60 vjeçar, ka shpërthyer javën e kaluar, kur shefi i ushtrisë në një paraqitje në një komitet parlamentar tha se ai nuk do të lejoj që forcat e armatosura të “shkatërrohen” nga planet e qeverisë për shkurtimin e 850 milionë eurove nga buxheti.

Raportohet se presidenti Macron më vonë e ka kritikuar gjeneralin për vënien e mospajtimit për buxhet në “sferën publike” dhe i tha atij se “unë jam shef”.

Shkurtimet janë pjesë e 4.5 miliardë eurosh për shpenzimet publike që i ka premtuar qeveria Macron.