Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke pritur një vlerësim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, lidhur me lajmin se shteti i Xhamajkës e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Osmani ka thënë se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm më deklaratat e tyre, deri sa të sqarohen përfundimisht gjërat, transmeton Telegrafi.
“Ne jemi duke pritur një vlerësim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë, natyrisht se si Kuvend i Kosovës jemi bazuar në informatën zyrtare dhe tani për tani duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm deri në momentin e sqarimit përfundimtar. Duhet marrë sqarim përfundimtar nga MPJ, dhe pastaj do të deklarohem”, ka thënë Osmani gjatë një deklarimi për media në Gjilan, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten ka deklaruar se shteti Xhamajkës ka njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo një gjë e tillë është demantuar nga ministrja e Jashtme e Xhamajkës, e cila ka thënë se shteti i saj nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, nga presidenca kanë bërë të ditur për Telegrafin, se lidhur me njohjen e pavarësisë nga Xhamajka, ata janë informuar nga ambasadorja Vlora Çitaku./Telegrafi/