Telegrafi

Mosmarrëveshje mes dy familjeve për tokë, arrestohen dy persona në Ferizaj pasi sulmuan njëri-tjetrin

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona në Ferizaj të shtunën, pasi dyshohen për lëndim trupor.

Policia njofton se rreth orës 15:00 ka pranuar informacion se në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj personat e dyshuar kanë pësuar lëndime trupore mes vete nga sulmet fizike, për shkak të një mosmarrëveshje mes dy familjeve të tyre për një parcelë.

“Ngjarja kishte ndodhur kur dy personat me inicialet S.A ( M/K) i moshës 35 vjeçar dhe J.A ( M/K) i moshës 30 vjeçar, shkak i një mosmarrëveshje mes dy familjeve të tyre, për një parcelë ( ngastër toke) kishin pësuar lëndime trupore mes vete nga sulmet fizike, të cilët më pas për ndihmë mjekësore ishin dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media.

Në lidhje me këtë policia bën të ditur se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe në rast janë kyçur policët hetues, të cilët nën autorizim të Prokurorit Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet.

“Dy të dyshuarit më pas janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizajt dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të Prokurorit të rastit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”. /Telegrafi/