Komisioni Evropian ka publikuar një verzion të redaktuar të kontratës së tij me prodhuesin e ilaçeve AstraZeneca për vaksinën e saj kundër COVID-19, mes mosmarrëveshjeve të fundit për sa i përket furnizimeve.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, masa vjen disa orë pasi shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rriti presionin tek AstraZeneca në lidhje me vendimin e kompanisë për uljen e furnizimeve në BE.
Kontrata e nënshkruar në muajin gusht përmbante “urdhra të detyrueshëm”, tha ajo për radion gjermane dhe bëri thirrje për një shpjegim.
Vaksina e AstraZeneca-s pritet të miratohet sot nga rregullatori i ilaçeve nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja e muajit gusht përmbante furnizimin e BE-së me 300 milionë doza pasi vaksina të miratohej nga rregullatori, me një mundësi prej 100 milionë doza shtesë.
Por, burimet e BE-së thonë se ata tani presin të marrin vetëm rreth një të katërtën e 100 milionë vaksinave që ata prisnin t’i merrnin deri në muajin mars; një mungesë prej rreth 75 milionë dozave.
Lidhur me këtë rast, AstraZeneca ka deklaruar se problemet e prodhimit janë në fabrikat e saj në Holandë dhe Belgjikë. /Telegrafi/