Telegrafi

Mosliberalizimi i vizave, AAK e quan diskriminim klasik – kërkon nga Konjufca që t’u shkruaj vendeve anëtare të BE-së dhe presidencës çeke

Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e quajtur diskriminim klasik çështjen e mosliberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai para mediave tha se këtë çështje e ka ngritur edhe në mbledhjen e mbajtur sot të Kryesisë së Kuvendit, ku ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që t’i shkruaj presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Në kryesi e kam ngritur një kërkesë që Kuvendi përmes kryetarit t’i adresohet presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtre me një kërkesë të thjeshtë që lidhet me një mosvendim për liberalizimin e vizave, e që për neve është diskriminim klasik”, tha Tahiri.

Ai shtoi se çfarëdo sistemi që e aplikon BE-ja për vendet tjera jo anëtare të Shengenit mund të hyjë në fuqi edhe për Kosovën pasi që të liberalizohen vizat.

“Heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë arsye e ngrita këtë çështje që të ketë adresim serioz. Heshtja jonë nuk i bënë hajr dhe nderë Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.

Kujtojmë se në takimin e Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian të mbajtur të enjten më 13 tetor në Bruksel, procesi i vizave për Kosovën u lidh me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Propozimi u tha se është bërë nga zyrtarët francezë, ndërkaq është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës. /Telegrafi/