Shpesh ka një debat se cila është mosha më e mirë për të pasur fëmijë.
Një studim i ri ka treguar se fëmijët e lindur nga femrat e moshës ndërmjet 23 deri në 32 vjeçe, kishin rrezikun më të ulët të defekteve të lindjes.
Vajzat adoleshente dhe femrat në të njëzetat e hershme kishin më shumë gjasa të lindnin fëmijë me defekte të sistemit nervor qendror, të cilat ndikojnë në zhvillimin e trurit dhe shtyllës kurrizore, ndërsa shtatzënitë e grave në vitet e vonshme shoqërohen më shpesh me deformime të kokës, qafës, syve dhe veshëve.
Shkencëtarët nga Universiteti Semmelweis në Hungari analizuan të dhënat e 31.128 shtatzënive me defekte të konfirmuara jo-kromozomale të lindura të regjistruara në bazën e të dhënave zyrtare hungareze midis viteve 1980 dhe 2009. Ata krahasuan këto të dhëna me më shumë se 2.8 milionë lindje në vend gjatë të njëjtës periudhë 30-vjeçare (publikuar në revistën International Journal of Obstetrics & Gynaecology).
Në përgjithësi, rreziku i defekteve të lindjes u rrit me rreth një të pestën për gratë nën 22 vjeçe krahasuar me ato brenda moshës ideale prej 23 deri në 32 vjeçare. Gjithashtu, rreziku i defekteve të lindjes te gratë mbi 32 vjeçe ishte 15 për qind më i lartë.
Gjetjet i referohen defekteve të lindjes jo-kromozomale dhe jo gjenetike që nuk ndikohen nga gjenet e nënës. Shkaqet jo gjenetike, jo-kromozomale të defekteve të lindjes përfshijnë konsumimin e alkoolit dhe duhanit gjatë shtatzënisë, praninë e disa kushteve mjekësore dhe përdorimin e disa medikamenteve gjatë shtatzënisë.
“Mund të supozojmë vetëm pse anomalitë jo-kromozomale në lindje kanë më shumë gjasa të zhvillohen në grupmosha të caktuara. Për nënat e reja, këto mund të jenë kryesisht faktorë të stilit të jetesës (p.sh. pirja e duhanit, konsumimi i drogës ose alkoolit) dhe fakti që ato shpesh nuk janë të përgatitura. Për shtatzëninë. Te nënat në moshë të shtyrë, akumulimi i ndikimeve si ekspozimi ndaj kimikateve dhe ndotja e ajrit, përkeqësimi i mekanizmave të riparimit të ADN-së dhe plakja e vezëve dhe endometriumit, mund të luajë gjithashtu një rol”, ka thënë Dr. Boglarka Petho, asistent profesor në Universitetin Semmelweis dhe autor i studimit. /Telegrafi/