Site icon Telegrafi

Mosgatishmëria e serbëve për konvertimin e targave në RKS, MPB: Strukturat kriminale të Vuçiqit në veri po i frikësojnë qytetarët

Foto: Ilustrim/Arkiv

Ani pse kanë mbetur vetëm edhe disa ditë që qytetarët serbë të kenë mundësinë që t’i konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia, nga 1 shtatori e deri më sot janë regjistruar vetëm 12 vetura.  

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas përgjigjes së tyre, këto regjistrime janë bërë në komuna të ndryshme të Kosovës.

“Prej kur ka filluar regjistrimi i automjeteve, deri sot, janë regjistruar 12 automjete me targa legale RKS nga targat ilegale. Regjistrimet janë bërë në komuna të ndryshme. Nga Regjioni 06 – kemi 4 automjete, regjioni 02- kemi katër automjete, regjioni 04 – kemi dy automjete dhe regjioni 01 – kemi dy automjete”, thanë nga MPB-ja.

Tutje bëhet e ditur se që nga dita parë në të gjitha qendrat ka pasur interesim të qytetarëve, por në veri të vendit, siç thanë nga MPB-ja, shihet që ka një propagandë, e cila vjen direkt nga Serbia.

Siç thonë nga MPB-ja pas regjistrimit të parë të veturës së një rreshteri të policisë, atij i është sulmuar shtëpia, duke iu djegur një pjesë e saj.

Vetura e djegur e zyrtarit policor

Kjo, sipas MPB-së, përcjell mesazh frikësues edhe tek qytetarët tjerë.

“Siç e dini, rasti në Leposaviq është shoqëruar me incident pasi pronarit të automjetit të regjistruar me targa RKS, që është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i është djegur një pjesë e shtëpisë të njëjtën ditë”.

“Që nga dita parë në të gjitha qendrat ka pasur interesim të qytetarëve, por duhet të theksojmë se në veri, përkundër interesimit të qytetarëve, shihet që ka një propagandë, e cila vjen direkt edhe nga Serbia dhe fatkeqësisht ne kemi një incident. Ddo të thotë vetura e parë që është regjistruar në veri, një rreshter policor i Kosovës ka bërë kthimin në targa RKS dhe të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia, i është djegur një pjesë e saj. Dhe kjo padyshim ka për qëllim frikësimin e qytetarëve të asaj ane”, thanë nga MPB, duke treguar dhe për një rast të dytë të incidentit pas konvertimit nga targat ilegale në ato RKS.

“Rasti tjetër ishte kur një tjetër qytetari serb iu dogj depo, një ditë pasi djali i tij bëri regjistrimin e veturës'”, thuhet në përgjigje.

MBP tutje potencon se qytetarët në veri janë duke u frikësuar si dhe duke u kërcënuar direkt nga grupet ilegale kriminale.

Qëllimi i tyre, sipas MPB-së, është destabilizimi i vendit dhe intimidimi i qytetarëve.

“Qytetarët tanë në veri janë duke u frikësuar dhe kërcënuar direkt nga grupet ilegale kriminale, të cilat jo vetëm që po udhëhiqen, por edhe po financohen nga Vuçiq, e të cilët kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe intimidimin e qytetarëve tanë në veri. Thirrjet për mos regjistrim të veturave nga ana e Vuçiqit, që iu bën qytetarëve tanë në veri, i konsiderojmë si ftesë për luftim të rendit, ligjit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre, raporton Telegrafi.

Nga kjo ministri gjithashtu bëjnë të ditur se si MPB janë të përkushtuar dhe ta përfundojnë me sukses këtë proces, duke iu bërë thirrje dhe qytetarëve që të raportojnë rastin ndaj çfarëdo kërcënimi.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme ne jemi të përkushtuar dhe të pakompromis që të përfundojmë me sukses këtë proces, duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve që të raportojnë çfarëdo kërcënimi që ata mund të kenë nga strukturat e ndryshme kriminale, që të mos i regjistrojnë veturat e tyre në targa RKS”, thanë nga MPB-ja.

Po ashtu, sipas tyre në përgjigjen dërguar Telegrafit thuhet se dritarja e mundësisë është e hapur deri në fund të muajit.

“Dritarja e mundësisë është e hapur deri në fund të muajit. Fushata jonë për informim sa më të gjerë po vazhdon. Ministri Sveçla së fundmi i është adresuar komuniteti serb edhe në gjuhën serbe me qëllim që komunikimi të jetë i drejtpërdrejt. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës”, bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme. /Telegrafi/

Exit mobile version