Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP), ka marrë vendim lidhur me ankesat e subjekteve politike pas moscertifikimit të listave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
PZAP ka publikuar vendimin sa i përket ankesës të bërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), ku thuhet se ka refuzuar pjesërisht apelet e kësaj partie, teksa ka bërë të ditur se certifikohet PAI, në përjashtim të disa kandidatëve.
PZAP është duke vazhduar me publikimin e vendimeve, ku pas pak pritet të bëhet e ditur se si është vendosur për ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe subjekteve tjera që kanë bërë ankesa.
KQZ javën e kaluar nuk ka certifikuar listat e gjashtë subjekteve politike, në mesin e tyre edhe listën e LVV-së, AAK-së dhe Nismës.
KQZ kishte njoftuar se këto lista nuk po certifikohen për shkak që sipas listës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, disa prej kandidatëve kanë dënime në tri vitet e fundit. /Telegrafi/