Site icon Telegrafi

​“Mos të vdes pa e gjetur djalin”, 79-vjeçari në pritje të lajmit për të birin e zhdukur gjatë luftës

Ende nuk dihet nëse Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë një marrëveshje e cila do të shtynte përpara procesin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kanë gatishmëri për një marrëveshje të tillë por ka theksuar se kjo nuk varet vetëm nga Qeveria e Kosovës, ndërsa nga Brukseli u kanë bërë thirrje palëve që t’u japin shtysë të re politike përpjekjeve për zgjidhjen e rasteve të mbetura të personave të zhdukur.

Tash e 23 vjet nuk dihet asgjë për fatin e Bashkim Ramabajës, i zhdukur si 27 vjeçar në vitin 1999.

Babai i tij, Shaip Ramabaja e kujton 18 prillin e atij viti si ditën e fundit kur e ka parë të birin.

Në periudhën e vitit ‘99, për shkak të dhunës nga forcat serbe, familja Ramabaja nga Hajvalia ishte zhvendosur në fshatin Mramor.

Për të njëjtat arsye, në prill të atij viti ata ishin detyruar të ktheheshin prapa në Hajvali të Prishtinës por kësaj radhe jo edhe djali i tyre Bashkimi.

Ai kishte mbetur në mal dhe sipas asaj çka babai i tij di, në 22 prill të vitit 1999, Bashkimi kishte tentuar të shkojë në Kolovicë, një lagje e Prishtinës, por ishte kapur nga forcat serbe.

“Më 18 prill në mbrëmje ne jemi nisur me ardh në shtëpi, e luta djalin tha kurrë nuk vi se e kam marrë atë (armën) dhe me të kam me u mbrojt deri në fund, nuk bi i gjallë në dorë. Më 21 me siguri ka tentuar me hy në Kolovicë, i ka dajtë aty, me siguri aty është zënë në Kolovicë, e kanë zënë parazitarët dhe e kanë marrë e kanë dërguar në burg në Lipjan ashtu siç kam të dhëna unë, e kanë maltretuar e rrahur çdo ditë ‘trego me kënd ke qenë ushtarë, ai nuk ka treguar. Më 12 qershor kur ka hy NATO i ka përzënë kriminelët, ai ka mbetur i fundit në atë dhomë në Lipjan, çka kanë bërë me të prej aty nuk kam asnjë të dhënë. Më ka humb djali”, thotë Ramabaja, derisa rrëfen ngjarjen për zhdukjen e djalit të tij 23 vjet më parë.

Ani pse ka pasur shumë përpjekjeve për të zbardhur fatin e të birit, Ramabaja nuk ka arritur ta gjejë atë tash e dy dekada.

Ndërsa tani, 79 vjeçari lutet që të mos vdesë pa e marrë lajmin për vendndodhjen e të birit.

“Kam thënë ‘o Allah mos ma merr shpirtin pa ditë diçka për të, evladi është pjesë e zemrës, pjesë e jetës…Pasuria ime më e madhe në këtë dynja është me mujt me dite diçka për djalin, me gjet gjallë por për të gjallë veç Allahu, nuk po guxoj me thënë, por të paktën të dimë çka, mos të vdesim me mall të tij, kam thënë o Zot mos ma merr shpirtin pa ditë diçka”, thotë ai.

Me dhimbje, historinë e djalit të zhdukur me dhunë nga forcat serbe, plaku 79 vjeçar e ndan me ekipin e KosovaPress-it, prej ku edhe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë Bashkimin dhe të gjithë personat e tjerë të zhdukur, siç thotë ai, qofshin të gjallë apo të vdekur.

“Unë e kisha lutë Albin Kurtin me i dhënë zor ku janë, si janë, qoftë i gjallë, 99% nuk është, por në qoftë i gjallë jo vetëm ai por krejt me i gjetë, me pas një drejtim ku me shku me u lutë ndonjëherë, ketë e kisha lutë me i gjetë, sepse këta (qeveritë e kaluara) nuk kanë bërë asgjë vetën kanë bë hajgare me ne. Shpresë 99% jo, 1% po pak sepse po e sheh vet, e kanë lënë këta krejt”, thotë Ramabaja.

Çështja e të pagjetur është prioritet për Qeverinë e Kosovës, ka thënë kryeministri Albin Kurti duke theksuar se do të bëjnë maksimumin që kjo të zbardhet.

“Çështja e të pagjeturve është porritet për Qeverinë e Kosovës, ata janë të zhdukur me dhunë dhe ne do të bëjmë maksimunim tonë në mënyrë që kjo çështje të sqarohet, zbardhet sa më parë sepse ankthi i familjarëve është mbase edhe më i madh sesa pikëllimi i tyre që nuk është vetëm i tyre…Ne kemi gatishmëri dhe interesim por nuk varet vetëm nga ne”, i ka thënë KosovaPress-it të premten kur është pyetur nëse do të ketë ndonjë marrëveshje për këtë çështje.

E i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë vizitës së fundit në Kosovë ka bërë të ditur se po punon për t’i bindur palët për nënshkrimin e një dokumenti për çështjen e personave të pagjetur, e për përmbajtjen e të cilit nuk ka dhënë detaje.

“Çështja e personave të zhdukur është një çështje e rëndësishme humanitare, e cila diskutohet në dialog si çështje me prioritet për të dyja palët. Si e tillë do të mbetet në krye të agjendës së dialogut. Marrëveshja e javës së kaluar për energjinë është një hap përpara. Udhërrëfyesi përcakton një afat kohor të qartë dhe hapa konkretë për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë të viti 2013 dhe 2015. BE-ja tani pret që të dyja palët të respektojnë hapat e rënë dakord dhe t’i zbatojnë ato në kohën e duhur në mirëbesim. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të dyja palët për çështje të tjera në rendin e ditës, duke përfshirë çështjen e personave të zhdukur. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë fleksibilitet në mënyrë që t’i japin shtysë të re politike përpjekjeve për zgjidhjen e rasteve të mbetura të personave të zhdukur”, thotë në një përgjigje me shkrim Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

Sipas Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, nga Lajçak u është thënë se në rast të nënshkrimit të një marrëveshje mes palëve, do të ketë mbikëqyrje për zbatim nga bashkësia ndërkombëtare.

“Lus që të mos shkojnë pa përgatitë në Bruksel, mos të habitën të thuhen gjerat politike apo gjëra teknike me i përzi me çështjen e personave të pagjetur, edhe një send që duhet ta them, ka pranuar Lajcaku me kërkesën tonë, pasi të darkohet një marrëveshje pasi të shkruhet marrëveshja, gjithqysh të ketë një mbikëqyrës prej bashkësisë evropiane a po realizohen apo nuk po realizohen”, thotë ai.

Ndërsa sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, konfirmimi i palëve se çështjen e fatit të personave të pagjetur do ta trajtojnë si humanitare, do të ndihmonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Ne kishim shpresën se palët do të ulën dhe do të nënshkruajnë një deklaratë së paku nëse jo marrëveshje të përbashkët në lidhej me çështjen e personave të zhdukur. Besoj që edhe ashtu ky proces, procesi i gjetjes së një marrëveshje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur është prolonguar shumë, është momenti i fundit të arrihen marrëveshje e tillë dhe kjo të reflektojë pastaj edhe në teren edhe me gjetjen e trupave, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur…. Krejt ky proces nuk ka qenë shumë transparent dhe ne nuk mund ta dimë se çka mund të përfshijë ajo marrëveshje apo ajo deklaratë, megjithatë është rëndësishme që palët në nivel më të lartë politik dakordohen që të shtyjnë përpara çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

Institucionet e Kosovës dhe shoqatat që përfaqësojnë familjet e personave të zhdukur, në vazhdimësi kanë kërkuar që Serbia të jap informacione për të zhdukurit me dhunë por e njëjta i ka fshehur të dhënat mbi varrezat e mundshme masive.

Në Kosovë vazhdojnë të mungojnë mbi 1600 persona të cilët janë zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit, në mesin e tyre edhe Bashkim Ramabaja.

“Mua dhe shoqes deri të na qesin një mijë killa dhe më tepër nuk e harrojmë kurrë, kurrë sepse evlad i zemrës, por jeta jetë e pa jetu nuk kemi çare”, thotë Shaip Ramabaja.

Exit mobile version