Site icon Telegrafi

Mospërmbushja e detyrimeve nga Elektroseveri serb, ZRRE: Po e vlerësojmë procesin, do t’i zbatojmë obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për Energjinë

Tashmë kanë kaluar 100 ditë që kur është dashur që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) t’i lëshonte licencë kompanisë serbe Elektrosever për operim në veri të vendit, e paraparë në Udhërrëfyesin për Energjinë të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, ZRRE-ja në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se janë duke vlerësuar procesin që del nga kjo marrëveshje.

“Aktualisht Zyra e Rregullatorit për Energji është në vlerësim të procesit të zbatimit nga palët të Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, të datës 21.06.2022”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Sipas tyre, do të veprohet në harmoni me obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, do të veprojë në harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë. Për të gjitha veprimet ligjore që do të ndërmerren nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në raport me obligimet e palëve për zbatim të udhërrëfyesit, opinioni publik do të informohet me kohë”, shton kjo zyre.

Në pikën e 8-të të Marrëveshjes, është paraparë se, brenda 100 ditëve, në rast mos përmbushjes së detyrimeve, ZRRE-ja mund ta pezullojë licencën për Elektroseverin.

“Në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre Konkluzioneve të rënë dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Elektrosever, me kusht që të konsultohen paraprakisht palët, lehtësuar nga BE-ja, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion ekspert, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët”, thekson Marrëveshja.

Po ashtu, ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli ka thënë se mos zbatimi i Udhërrëfyesit të Energjisë është në fajin e Elektroserverit dhe vet shtetit serb.

“Çfarë mund të them është se të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë, ZRRE-në, KOSTT-in janë duke bërë përpjekje për realizmin e udhërrëfyesit për energjinë. Ajo se çfarë mund të them është se kryekëput ngecjet janë nga pala tjetër, te Elektroseveri, por edhe ndikimi i mundshëm të shtetit të Serbisë në këtë kompani”, pati thënë Rizvanolli.

Kosova dhe Serbia në Bruksel më 21 qershor kishin arritur të nënshkruajnë Marrëveshjen për Energjinë.

Kjo Marrëveshje ishte nënshkruar gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga Elektrokosmet, e që konsiderohet kompani ilegale.

Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. /Telegrafi/

Exit mobile version