Site icon Telegrafi

“Mos kini frikë të bëheni inxhiniere” –  Ozdemir nga “Limak Faundation” flet për të ardhmen e vajzave në inxhinieri dhe iniciativën GEG Kosova

Ebru Ozdemir, kryetare e bordit të “Limak Holding” dhe “Limak Foundation”, ka folur në një intervistë speciale për emisionin “Përballje” të Telegrafit.

Kjo intervistë është realizuar në kohën kur është mbajtur ceremonia e diplomimit të 20 vajzave të reja në fushën e inxhinierisë në kuadër të programit “Global Engineer Girls Kosovo”.

Ozdemir ka treguar për iniciativën e Global Engineering Girls, historinë e saj dhe rëndësinë që ka GEG Kosova si dhe diplomimin e grupit të 20 vajzave të para në Kosovë.

“Ishim shumë të emocionuar për këtë ngjarje…Është ceremonia e diplomimit të Global Engineering Girls në Kosovë, ku po diplomojnë për herë të parë 20 vajza. Megjithatë, kjo është hera e parë në Kosovë sepse ne filluam projektin për vajzat në inxhinieri tetë vite më parë Turqi, dhe pastaj u zgjeruam në Kuvajt, si dhe u zgjeruam njëkohësisht në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë një vit më parë. Në fakt, kemi filluar të përgatisim projektin dy vjet më parë, ku dhe zgjodhëm njëzet vajza nga universitetet të cilat ishin me ne në këtë udhëtim gjatë këtij viti të fundit. Kurse, sot festuam diplomimin e tyre ku dhe u ndamë atyre certifikatat”, ka deklaruar Ozdemir për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

Ozdemir ka thënë se për “Limak Foundation” ky është një projekt kryesor.

Unë jam vet një inxhiniere e ndërtimtarisë dhe isha ndër pesë vajzat nga pesëdhjetë studentët në klasën time. Ju e dini që në inxhinieri nuk gjen shumë vajza, dhe tani si LIMAK jemi aktiv në ndërtim, energji, çimento, në të gjithë këta sektorë të dominuar nga meshkujt. Përqindja është 15 -16% femra në të gjithë sektorët tanë. Arsyeja është se nuk ka shumë inxhiniere. Pra, ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që vajzat të bëhen inxhiniere dhe të ndryshojnë këtë”, ka deklaruar kryetarja e bordit të “Limak Holding” dhe “Limak Foundation”, transmeton Telegrafi.

Ebru Ozdemir kryetare e bordit të “Limak Holding” dhe “Limak Foundation” gjatë intervistës në “Përballje” me Muhamet Hajrullahu kryredaktor i Telegrafi.com, foto Bujar Gashi

Ozdemir ka folur edhe për numrin dhe interesimin që vajzat kanë në inxhinieri dhe se pse duhet zgjedhur këtë fushë dhe se duhet rritur numri dhe interesimi.

“Ju mund të jeni një inxhiniere e suksesshme. Pra, këto lloj projektesh u tregojnë njerëzve, vajzave, familjeve të gjithëve në fakt, se edhe gratë mund të bëhen inxhiniere të suksesshme nëse duan ta bëjnë këtë. Pra, ne krijojmë modele për të gjithë sistemin ose për të gjithë vendin”, ka deklaruar ajo.

Ebru Ozdemir ka treguar edhe historinë e saj personale dhe frymëzimin që kishte marrë nga nëna e saj inxhiniere dhe babai.

Ajo ka thënë se është rëndësi e mirë që në Kosovë flasin rrjedhshëm anglisht, duke shtuar se është habitur “se sa të sigurta janë vajzat në të folurit anglisht”.

Ozdemir ka folur edhe për të ardhmen e projektit të GEG Kosova.

Duke qenë inxhiniere, ne punojmë në pilot programe. Domethënë, ne fillojmë nga e vogla dhe e bëjmë atë më të madhe. Në Turqi filluam me 40 vajza dhe tani jemi deri në 170 vajza, sepse kemi marrë edhe disa vajza të tjera nga rajoni i tërmetit, sepse kishin nevojë për këtë. Dhe në Kosovë, tani kemi filluar me 20, dhe synimi ynë është të rrisim numrin e vajzave, të rrisim numrin e ndikimit dhe thjesht ta bëjmë këtë program më të madh. Dhe ne do të donim të kishim disa kompani të tjera, kompanitë e sektorit privat, për të punuar…”, ka deklaruar ajo.

Ebru Ozdemir kryetare e bordit të “Limak Holding” dhe “Limak Foundation”, foto Bujar Gashi

Dhe cilat sipas saj janë përfitimet e Kosovës si shoqëri nga GEG iniciativa?

“Kosova do të përfitojë, por në të njëjtën kohë, ne duhet ta mendojmë këtë si një situatë të grave, në kuptimin që të gjithë kanë nevojë, të gjitha nevojat e kompanisë, sektori privat, qeveria duhet të punojnë me njerëzit më të mirë. Pra, synimi ynë është t’i aftësojmë sa më mirë, me talentet më të mira, me ndihmën e mentorit, me ndihmën e këtyre trajnimeve që kemi bërë, mundësitë e praktikës. Ato do të takojnë shumë njerëz nga industria”, ka deklaruar ajo.

Ozdemir ka folur edhe për të ardhmen e projektit GEG Kosova  dhe zgjerimin e GEG në vende tjera të botës.

“Tani po shkojmë në vende të tjera. Së fundmi isha në Arabinë Saudite. Ne nënshkruam një memorandum mirëkuptimi me universitetin e vetëm për femra në Arabinë Saudite. Ne do t’i trajnojmë gratë atje sepse kanë seksione inxhinierike, dhe tani do të shkojmë edhe në Greqi dhe në vende të tjera.. Nuk është vetëm problemi i Kosovës apo i Turqisë”.

Ajo ka treguar se së shpejti do të hapim aplikacionet për gjeneratën e ardhshme.

Po, do të dëshironim të ftojmë më shumë partnerë dhe do ta rrisim numrin…. Këto vajza në fund të fundit duhet të punojnë diku. Dua të them, sepse prindërit, vetë familjet investojnë shumë në arsimin universitar. Ju lutemi ejani dhe aplikoni për projektin. Por në krye të kësaj, asgjë në botë nuk mund të arrihet pa punuar shumë. Ju duhet të punoni shumë. Duhet të provoni shumë herë. Mos thuaj, nuk mund ta bëj, dhe mos kini frikë të bëheni inxhiniere. Ejani dhe bashkohuni me familjen tonë”, përfundoi Ozdemir. /Telegrafi/

Exit mobile version