Roland Qafoku
Ju që përdridheni dhe jepni mend në ekrane, mos e quani veten gazetarë. Ju që jepni leksione nga mëngjesi në darkë se si duhet të jetë gazetaria, mos e quani veten gazetarë. Ju që kurrë nuk keni shkruar një lajm të vetëm me dorën tuaj duke raportuar se çfarë po ndodh dhe t’u përgjigjeni 5 ë-ve, mos e quani veten kurrë gazetarë.
Ju që gënjeni dhe shpifni nga mëngjesi në darkë, mos e quani veten gazetarë. Ju që nuk keni moral dhe tërë ditën dhe natën flisni për moral, mos e quani veten gazetarë. Ju që pavarësisht se aktroni, improvizoni e fantazoni, mos e quani veten gazetarë.
Nëse nuk keni dalë një herë të vetme në terren, nëse nuk keni bërë jetën e newsroom-it, nëse nuk jeni lagur nga shiu dhe thekur nga dielli duke qëndruar me orë të tëra në pritje të lajmit, nëse nuk jeni kërcënuar një herë të vetme për atë që keni shkruar apo thënë me gojë. Nëse nuk jeni përplasur një herë të vetme me pushtetin, me krimin, me të fortët, kurrën e kurrës nuk jeni gazetarë.
Nëse nuk keni ndjerë një herë të vetme që jeta juaj të ketë qenë në rrezik pikërisht për shkak të punës suaj dhe jo të maskarallëqeve, nuk ka lidhje gazetaria me ju. Të paktën na e bëni këtë nder. Nuk keni lidhje me këtë zanat.
Gazetari është kjo e Klodiana Lalës. Është gazetaria e sakrificës, është gazetaria e punës, me orar pa orar. E mëngjesit dhe e natës. E diellit, e shiut dhe borës. Në udhëtime të gjata e dhe të rrezikshme. E sharjeve, ofendimeve, përçmimeve dhe e denigrimit. Është gazetaria e përuljes e edukatës dhe e sakrificës. Është gazetaria e rrogës së vogël, të vonuar, madje dhe të pamarrë fare. Dhe, në fund, është gazetaria e rrezikut të jetës. Kjo nuk ka lidhje me atë që bëni ju. Ju mund të bëni balet, show, imitim, politikë, por kurrën e kurrës gazetari.
Ju që papritur vetëshpalleni gazetarë. Ju që e nisni karrierën direkt drejtorë pa qenë më parë gazetarë në provë, reporterë të thjeshtë terreni, redaktorë, zëvendëskryeredaktorë, kryeredaktorë, ju nuk mund të quheni kurrë gazetarë. Ju që fusni këmbët në media, sepse e keni mirë me pronarin. Ju që merrni një post në media sepse politikani juaj i preferuar ju mbështet fort. Ju që çudisni komunitetin e medias dhe tërë botën se si një ditë, krejt papritur, u bëtë të mëdhenj pa qenë të vegjël. Ju që në mbrëmje flisni kundër krimit dhe në mëngjes udhëtoni cep më cep botës me para që vetëm ju e dini se ku i gjeni. Ju nuk jeni dhe nuk mund të jeni kurrë gazetarë.
Ju që si fillim fusni këmbët në media. Më pas, nga media futeni në politikë. Pastaj, sërish ktheheni në media dhe po sërish e keni këmbën në politikë. Pikërisht ju nuk keni lidhje me gazetarinë. Ju që jeni të pasur dhe krekoseni se keni kaq vila në Tiranë, kaq në bregdet dhe kaq jashtë Shqipërisë, ju kurrë nuk mund të quheni gazetarë. Fundja ç’lidhje ka pasuria me gazetarinë! Ju që mbështeteni dhe merrni vlerësime nga “specialistë të midhjes dhe peshkut”, por që nuk kanë punuar asnjë ditë në media dhe të habisin me sigurinë e tyre se si japin mend për një punë që nuk e kanë bërë kurrë. E pra, ju nuk keni dhe nuk mund të keni kurrë asnjë lidhje më këtë zanat.
Natyrisht, gazetaria është tërheqëse dhe pa asnjë dyshim është zanati më i bukur në botë. Kjo është fraza më frymëzuese për gazetarët e thënë nga mendimtarët më të mëdhenj të komunikimit në të gjithë rruzullin. Kjo është arsyeja që të shumtë janë ata që kanë dëshirë të jenë gazetarë. Të shumtë janë ata që edhe kur I ndalon polici rrugor mbrohen duke thënë se janë gazetarë. Jo o njerëz! Nuk mund të jesh gazetar sepse një ditë, befas, në mendjen tënde u faneps idea sepse ju mund të jeni i tillë.
Shikoni punët dhe profesionet tuaja! Bëjini sa më mirë ato. Lëreni gazetarinë ta bëjnë gazetarët e vërtetë. Fakti që dikush ua nxjerr surratin në ekran dhe që shkruani paçavure në faqen tuaj të Facebook-ut nuk do të thotë se menjëherë ju fituat statusin e gazetarit. Mark Zuckeberg ia ka dhënë këtë mundësi çdo budallai të mundshëm në planet. Por, kjo nuk do të thotë se ky i mundshmi që shkruan dhe komenton në Facebook është gazetar. Jo ore jo! Është komplet një gjë tjetër.
Gazetaria është një oqean tjetër që nuk laget nga të tillë ujëra. Gazetar të bën talenti, durimi, ndershmëria, mirësia, trimëria, saktësia, korrektësia, dhembshuria. Shumë janë si cilësi, por kur i synon edhe mund t’i arrish. Dhe imagjino, të gjitha këto cilësi duhet t’i tregosh t’i lëvrosh në terren, dhe në newsroom jo në kolltuk, në bare e restorante apo në zyra politikanësh.
Gazetar të bën karriera që nis nga reporter dhe jo domosdoshmërisht duhet të arrish drejtues. Nuk të bën as bukuria fizike, as marifetet e as pazaret. Nuk të bën se sa herë në ditë e bën make up-in dhe ku ndodhet salloni yt i bukurisë. Nuk të bëjnë veshjet firmato dhe as shkalla e vanitozitetit. Por, të bëjnë thjeshtësia, sakrificat dhe rreziku. Për këto do mbahesh mend, jo sa para ke bërë dhe sa I famshëm në vartësi të ftesave apo lëpirjeve që kë bërë për të marrë ftesa për të qenë në studio televizive. Gazetaria pa sakrificë nuk vlen. Pothuajse janë harruar nga masa e njerrëzve, por ne gazetarët kurrë nuk mund ti harrojmë skarificat e kolegëve tanë:
Zamir Dule endet në braktisjen e tij pas rrahjes shtazarake.
Edhe Bardhok Lala endet i braktisur dhe rrallë thonë një fjalë për atë që u cilësua i vdekur, por Zoti e mbajti në jetë.
Fatos Mahmuatj që ende ka shenjat e plagosjes në dorë dhe që Zoti ishte me të atë 21 janar.
Klodiana Lala është sulmuar frikshëm me armë, por më shumë se kaq është e terrorizuar se ende nuk e di se cilët janë autorët e breshërive me kallashnikov.
Prandaj, ju bukuroshe dhe bukurushë delikatë mësojeni mirë se çfarë është gazetaria. Bëjeni një herë të vetme punën si Klodiana Lala dhe më pas do tu dëgjomë me kërshëri. Ju që pasi morët një herë mundimin të shkruanit për vrasje na bëtë të qeshim me lot kur thatë se kishit nevojë për psikolog. Ju bukuroshe dhe bukuroshë që tundeni në ekrane dhe në CV-në tuaj shënoni vitet si gazetar, mësojeni mirë se kush mund të jetë gazetarë. Të paktën mos u përzjeni. Të paktën mos thoni më se jeni të tillë. Thojini vetes çfarë të doni por vetëm gazetarë jo.
Nuk ju harrojmë jo edhe ju politikanëve, të majtë dhe të djathtë. Boll me deklarata bajate.
Është po aq qesharake të shpreheni për Klodin, por kur ishit ju në pushtet nuk vlente sulmi ndaj Fatos Mahmutaj? Merakosja juaj është falso. Të gjithë i keni frikë gazetarët. Prandaj synoni të bëni për vete pronarët dhe ti shpërfillni gazetarët e vërtetë. Boll me këtë hipokrizi! Gazetaria është profesioni më i bukur, por edhe më i vështiri në botë. Natyrisht kjo vlen vetëm për gazetarët.