Site icon Telegrafi

Mori pjesë në një aheng duke shkelur masat e karantinimit, princi belg infektohet me COVID-19 – kërkon falje për veprimet e tij

Princi belg Joachim, 28-vjeç, ka kërkuar sot falje për shkak të një ahengu në të cilin kishte marrë pjesë në Spanjë në kohën e karantinimit, ku edhe ishte infektuar me coronavirus, duke thënë se do të pranojë të gjitha pasojat.

Princi kishte shkuar në Spanjë nga Belgjika gjatë 26 majit, megjithatë dy ditë më vonë mori pjesë në një aheng në Kordoba, transmeton Telegrafi.

“Më vie shumë keq për shkak të sjelljes time. Kërkoj falje që nuk kam respektuar masat e karantinimit gjatë udhëtimit. Në këto kohë të vështira nuk kam dashur askënd të lëndoj”, ka deklaruar princi në letrën kushtuar opinionit publik, raporton BBC.

E këtë lajm e kanë publikuar mediat spanjolle, ku thuhet se princi Joachim, ndryshe nipi i mbretit belg Philippe, ka qenë në meshin e 27 personave që mori pjesë në aheng edhe pse në Kordoba lejoheshin tubimet deri në 15 persona.

Policia spanjolle tashmë ka filluar hetimet lidhur me këtë aheng, kurse të gjithë pjesëmarrësit që konfirmohet se kanë shkelur rregullat e karantinimit, do të dënohen me nga 10 mijë euro.

Raportohet se të gjithë pjesëmarrësit e ahengut janë në karantinë, kurse princi Joachim, djali i princeshës Astrid, ka simptoma të buta të COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version