Policia e Kosovës njoftoi të martën se ka arrestuar një person në Prishtinë, si të dyshuar për falsifikim të dokumenteve si dhe për mashtrim.
Sipas njoftimit, i njëjti ka aplikuar për kredi-lizing në një bankë me dokumente të falsifikuara.
“Gjatë veprimeve hetimore, janë siguruar dëshmi se i dyshuari Sh.Sh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar), gjatë procedurave të kredi-marrjes ka paraqitur dokumente si: letërnjoftimin, patentë-shoferi, gjendjen e llogarisë bankare, kontratën e punës dhe kontratën e qirasë, të cilat dokumente është vërtetuar se janë të falsifikuara“, thuhet në komunikatën për media.
I dyshuari ka arritur të marrë aprovimin për kredi në shumën prej 71 mijë e 250 euro. Pasi që i është aprovuar lizingu nga institucioni bankar, i njëjti e kishte në posedim veturën BMW X7 të cilën e kishte pranuar me lizing për shumën e lartcekur. Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit nga zyrtarët e institucionit bankar, vetura i është marrë personit të dyshuar.
“Sot, më 27.06.2023 është arritur të arrestohet ky person i cili më pastaj është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe ndaj tij është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’. I dyshuari me aktvendim të prokurorit kujdestar dërgohet në mbajtje deri në 48 orë“, bëhet e ditur tutje në njoftim. /Telegrafi/