Site icon Telegrafi

Mori 500 euro ryshfet, arrestohet oficeri i krimeve në policinë e Tiranës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”.

Në pranga është vënë oficeri i policisë, nënkomisar Kastriot Palushi, 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje. Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumente të tjera që lidhen me ngjarjen”, bëri me dije policia.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë me prova ligjore, si dhe identifikimin e punonjësve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.

Exit mobile version