Telegrafi

Morën qindra euro për një ndërhyrje – Prokuroria pritet të kërkoj paraburgim për dy mjekët e arrestuar në Gjilan

Një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, janë arrestuar nga policia nën dyshimin se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.

Sipas policisë thuhet se anesteziologu kishte marrë nga viktima 100 euro, ndërkaq kirurgu 330 euro të tjera, i njëjti më pas i kishte kërkuar viktimës edhe 200 euro shtesë.

Lidhur me rastin Prokuroria Themelore e Gjilanit ka konfirmuar për Telegrafin se brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa për paraburgim.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj tyre do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Telegrafin.

Lexo po ashtu Ia morën 430 euro për një ndërhyrje – arrestohet anesteziologu dhe kirurgu nga Gjilani

Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), Policia thotë se “hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar”.

“Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhej në njoftimin e policisë. /Telegrafi/