Alvaro Morata ka pranuar se do ta shijonte fitoren ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve duke pasur parasysh të kaluarën e tij me Juventusin.
Sulmuesi i Real Madridit ka luajtur për Zonjën e Vjetër për dy sezone, ku e fitoi nga dy herë edhe titullin e Serie A edhe atë të Kupës së Italisë.
Në verën e kaluar, 24-vjeçari u kthye te Los Blancos, të cilët e shfrytëzuan klauzolën e riblerjes. Megjithatë, ai nuk e ka harruar të kaluarën te Juve, ku do të dëshironte të luante më gjatë.
“Unë nuk jam italian, por kam dhënë gjithçka për fanellën bardhezi dhe kam dashur të qëndroj atje për shumë vite”.
“Juventusi e ka ditur këtë, i vetmi problem ishte se Madridi ka qenë ëndrra ime e fëmijërisë. Pa opsionin e riblerjes, është dashur të më tërhiqni zvarrë për të më larguar nga Torino!”.
“Më mungon grupi italian i zhveshtores – Bonucci, Barzagli, Chiellini, Marchisio, Buffon, ata ishin thelbësorë në përshtatjen time te Juventusi dhe në Torino”, ka thënë Morata, transmeton Telegrafi.
Duke komentuar përballjen ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve, spanjolli e ka bërë të qartë se Partenopei janë të rrezikshëm, porse shpreson në fitoren e Realit.
“Ata mund të na mposhtin, por edhe ne mund t’i mposhtim. Kjo është magjia e Ligës së Kampionëve. Unë dua gjithmonë të fitoj, por e pranoj se do të isha akoma më i lumtur ta mposhtja Napolin, për shkak të të kaluarës sime juventine”, është shprehur Morata.
Po të takohej Reali me Juventusin në finale, ai do të kishte emocione të përziera, prandaj nuk do ta dëshironte një përballje të tillë.
“Nëse duhet ta humb një finale, do të preferoja ta humb më mirë nga Juve se nga dikush tjetër”, ka thënë ai. /Telegrafi/