Telegrafi

Morata nuk do të luajë kundër Shqipërisë

Alvaro Morata ka pësuar një lëndim në ndeshjen e djeshme kundër Manchester Cityt.

Kjo e fundit ka triumfuar si mysafirë i Chelseat me rezultat 1-0, ku golashënues ishte Kevin de Bryune.

Sulmuesi ishte në listën e të ftuarve të trajnerit të kombëtare spanjolle, Lopeteguit për sfidat kundër Shqipërisë dhe Izraelit.

Në fundin e pjesës së parë, lojtari u ndal ndërsa po vraponte pasi ndjeu dhimbje në pjesën e prapme të kofshës së majtë dhe u nis menjëherë drejt dhomave të zhveshjes, duke bërë të qartë se kishte pësuar një tërheqje dhe nuk mund të vazhdonte në këtë sfidë.

Ky dëmtim mund të detyrojë Lopeteguin të thërrasë një sulmues tjetër në ekip, ku Diego Costa mungon meqë nuk ka zhvilluar fazë të mirë përgatitore.

Edhe David Villa u la jashtë listës pasi që ka pësuar një dëmtim në MLS.

Kujtojmë se takimi mes kombëtares shqiptare dhe asaj spanjolle do të zhvillohet më 10 tetor. /Telegrafi/