Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër – monument kulture i kategorisë së I-rë – është lokacioni më i vizituar arkeologjik i kryeqytetit.
Gërmimet arkeologjike e nxorën atë në dritë në një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).
Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absiden gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.
Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.
Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.
Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash.
Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976. /ATA/