Një monedhë e rrallë ari kelte e zbuluar nga detektorët metalikë është shitur për 5150 euro në një ankand në Angli, dyfishi i çmimit të kërkuar.
Monedha, e njohur gjithashtu si Saverneke ville, është më shumë se 2000 vjet e vjetër, shkruan bbc.
Ngjarja u zhvillua në shtëpinë e ankandeve “RWB” në qytetin anglez Swindon ndërsa blerësi është një banor vendas, i cili do t’ia dhurojë monedhën muzeut “Wiltshire”.
Ekspertët besojnë se monedha është prerë nga një fis i vogël që jetonte në pyllin Savernake dhe se që atëherë monedha nuk ka udhëtuar më larg se 20 kilometra nga burimi i saj.
“Kur shohim monedha kelte, ne e dimë se janë bërë vetëm disa qindra. Pastaj vetëm disa prej tyre mbijetuan”, tha ekspertja e monedhave Kimberly Day.
“Pra, duke mbajtur atë lloj monedhe në dorë, ju e dini se po mbani diçka që ishte e rrallë në kohën e saj dhe edhe më e rrallë tani”, shtoi ajo.
Ndryshe, monedha është një centimetër në diametër dhe peshon 1.22 gram. /Telegrafi/