Site icon Telegrafi

Momenti i përplasjes së deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës (Video)

Ka filluar me tensione takimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Ishte Sllobodan Petroviq ai i cili ka sulmuar verbalisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq. Ky i fundit, nuk e kishte ftuar në takim Sllobodan Petroviqin.

“Kush je ti…, ti je turpi më i madh i popullit serb…”, ishin fjalët që Petroviq ia drejtoi Stojanoviqit. Kurse Stojanoviq i kërkoi Petroviqit që të lëshojë sallën dhe të del jashtë.

Takimi udhëhiqej nga Slavko Simiq, por debatet vazhduan ndërmjet Stojanoviqit dhe Petroviqit.

“Ti dhe Jabllanoviq po bëni cirk, kështu që ulu ose dil jashtë”, ia ktheu Stojanoviq.

Ndërkohë, Petroviq thumboi sërish Stojanoviqin, duke i thënë se “ti ke dalë nga zarfi, nuk ke vota të popullit. Kur i merr votat, eja këtu”.

Pas acarimeve në sallë takimi është mbyllur për mediat.

Lista Serbe është mbledhur në një takim urgjent për të shqyrtuar zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik.

Ditë më parë, është raportuar se ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës. Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë.

Detyrën e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë e ka ushtruar Slavko Simiq, por babai i Aleksandar Jabllanoviqit, Dragan Jablanoviq thotë se i vetmi kryetar i regjistruar në KQZ në Kosovë është i biri i tij, Aleksandri.

Aleksandar Jablanoviq ishte ministër në qeverinë e Kosovës për kthim dhe komunitete, por u shkarkua nga kryeministri Isa Mustafa, pas nxitjes së reagimeve përmes një deklarate fyese duke i quajtur ‘egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të qytetit në vitin 2015.

Pas shkarkimit, Jablanoviq u emërua në detyrën e sekretarit në ministrinë e punës në Serbi, ministër i së cilës është Aleksandar Vulin, udhëheqës i Partisë së Lëvizjes Socialiste.

Aleksandar Jablanoviq dha dorëheqje në fund të muajit janar nga detyra e sekretarit të shtetit pasi në makinën zyrtare të Qeverisë së Serbisë u arrestua vëllai i tij Marko Jablanoviq. /Rel/

Exit mobile version