“Mission: Impossible 7” është përfshirë në një kaos të radhës, pasi që vendxhirimi 2.2 milionë eurosh është kapluar nga zjarri këtë javë.
Për shkak të pandemisë së coronavirusit, xhirimet e filmit ishin ndërprerë për disa muaj, ndërsa tash mund të ndodhë sërish diçka e ngjashme.
Ditë më parë, motoçikleta e njërit prej kaskaderëve ishte kapluar nga flakët gjatë xhirimeve në Oxfordshire gjatë hedhjes nga një rampë, me ç’rast sheshxhirimi ka pësuar dëme të mëdha.
Kjo ka bërë që ylli i filmave “Mission: Impossible”, Tom Cruise, të jetë mjaft i frustruar duke qenë se mund të ketë shtyrje të mëtutjeshme të realizimit të skenave.
Shtëllunga të tymit të zi janë kapur nga kalimtarët, por edhe SplashNews.com i ka publikuar disa imazhe nga kjo ngjarje.
Në ndërkohë bëhet e ditur se Cruise ka qenë duke ushtruar me një parashutë për një skenë të radhës, në kohën kur vendxhirimi është kapluar nga zjarri dhe më pas kanë arritur ekipet e zjarrfikësve të Oxfordshire.
Një burim i The Sun ka thënë se motoçiklisti duhej të binte mbi jastëkët e mëdhenj për ta zbutur rënien, mirëpo gjërat nuk shkuan sipas planit dhe motoçikleta ka rënë anash duke shkaktuar zjarrin që ka dëmtuar një pjesë të madhe të vendxhirimit. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar. /Telegrafi/