Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, është takuar sot me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo është liderja e parë botërore që u takua me presidentin e ri amerikan, me të cilën edhe iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve pas takimit të tyre, transmeton Telegrafi.
Por ajo çfarë tërhoqi më shumë vëmendjen këtyre dy liderëve e në veçanti atij amerikan, ishin pyetjet e gazetares së televizionit britanik BBC, Laura Kuenssberg, e cila nuk hezitoi t’ia numërojë një nga një premtimet dhe këndvështrimet e Trumpit që vazhdimisht i kishte përmendur.
“Zotëri President ju keni deklaruar me herët se teknikat e torturave gjatë marrjes në pyetje kanë dhënë rezultate, keni lavdëruar Rusinë, keni thënë se do t’ua ndaloni hyrjen në SHBA disa myslimanëve. Keni sugjeruar se duhet ndëshkuar personat sa i përket abortit. Për shumë njerëz në Britani këto mesazhe janë një alarmuese. Çfarë mund t’ju thoni qytetarëve tanë, të cilët janë të brengosur për disa nga këndvështrimet e juaja”, ishin pyetjet e gazetares së BBC.
Por reagimi i Trumpit ishte i menjëhershëm duke u munduar ta kthejë në humor situatën e krijuar, ku në një moment iu drejtuar kryeministres britanike duke i thënë se a e keni bërë ju përzgjedhjen e pyetjeve. /Telegrafi/