Site icon Telegrafi

Momenti kur rezervuari i parë, i dytë dhe i tretë i naftës shpërthyen në flakë pas goditjes së rrufesë – në Kubë

Një zjarr vdekjeprurës që filloi në një objekt të madh të magazinimit të naftës në Kubën perëndimore u përhap të hënën pasi flakët mbuluan një rezervuar të tretë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të paktën një person ka vdekur dhe 125 janë lënduar, me dhjetëra zjarrfikës të raportuar të zhdukur që kur rrufeja goditi një nga tetë rezervuarët e objektit të premten mbrëma.

Një rezervuar i dytë u përfshi nga flakët të shtunën, duke shkaktuar disa shpërthime.

“Rreziku që kishim njoftuar ndodhi dhe zjarri i rezervuarit të dytë komprometoi të tretin”, tha Mario Sabines, guvernator i provincës perëndimore të Matanzas ku ndodhet objekti.

Zjarrfikësit kishin hedhur ujë mbi rezervuarët e mbetur gjatë fundjavës për t’i ftohur dhe për të ndaluar përhapjen e zjarrit.

Qeveritë e Meksikës dhe Venezuelës kanë dërguar ekipe speciale për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, me ujë, aeroplanë dhe helikopterë që luftojnë zjarrin nga disa drejtime, ndërsa specialistët e ndërtimeve ushtarake ngritën barriera për të frenuar derdhjet e naftës.

Zyrtarët lokalë paralajmëruan banorët të përdorin maska për fytyrën ose të qëndrojnë brenda, duke pasur parasysh tymin që është shpërndarë në rajon që mund të shihet nga kryeqyteti i Havanës, i vendosur më shumë se 65 milje (100 kilometra) larg.

Ata kanë paralajmëruar se reja përmban dioksid squfuri, oksid azoti, monoksid karboni dhe substanca të tjera helmuese. /Telegrafi/

Exit mobile version