Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May është kapur nga kamerat duke ia rikujtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i cili dukej i hutuar, se duhet të kthehet para kameramanëve dhe fotografëve për të pozuar në Samitin e G20-ës që po mbahet në Hamburg të Gjermanisë.
May është parë duke e prekur në kraharor Trumpin, i cili me sa duket se nuk kishte vërejtur liderët tjerë që ishin ulur në sallë, që janë kthyer për të pozuar para objektivit të aparatit, transmeton Telegrafi.
Kryeministrja britanike ishte ulur pranë Trumpit dhe nikoqires së Samitit, kancelares gjermane Angela Merkel.
Por, kjo nuk është hera e parë që Trump filmohet nga kamerat duke qëndruar si i hutuar, dhe rasti më i freskët ishte ai kur aterroi me aeroplanin presidencial Air Force One dhe në vend se të futet në veturën presidenciale e njohur me nofkën “Bisha”, ai niset drejt një veture tjetër duke detyruar një pjesëtarë të Shërbimit Sekret që ta udhëzoj drejt veturës së tij. /Telegrafi/