Boksieri anglez, Anthony Joshua, edhe sot (e shtunë) i mbrojti me sukses titujt IBF dhe WBA për peshat e rënda, pasi mposhti Carlos Takam me nokaut teknik në raundin e dhjetë.
Por, një nga momentet më interesante të këtij meçi të sotëm, ishte kur në raundin e dytë kampionit i ishte mbuluar hunda me gjak.
Përderisa shumica mund të mendojnë se kjo ishte shkaktuar nga goditjet e Takamit, faktikisht ishte koka e 36-vjeçarit ajo që i shkaktoi gjakderdhje Joshuas.
Në raundin e dytë, Takam i ishte afruar boksierit anglez, dhe në një moment e kishte goditur fuqishëm me kokë hundën e kundërshtarit.
Kur Joshua kishte shkuar në këndin e tij, ai i kishte thënë ekipit: “Tregoni gjyqtarit se ai po më godet me kokë”.
Gjyqtari e kishte paralajmëruar Takamin për goditjen e tij me kokë në rundin e tretë, por dëmi veçse ishte shkaktuar në fytyrën e kampionit.
Sidoqoftë, kjo nuk e kishte ndaluar 28-vjeçarin të rikthehet më fuqishëm dhe ta mposhtë atë në raundin e dhjetë me nokaut teknik.
Ndryshe, britaniku i ka 20 fitore nga 20 ndeshje, ku të gjitha janë me nokaut, duke treguar se është e tashmja dhe e ardhmja e boksit edhe për shumë vite. /Telegrafi/