Mbrëmjen e së martës është larguar nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, DJ Dagz.
Ai u largua nga një eliminim i dyfishtë që ndodhi pas daljes së këngëtares Xheisara, nga televotimi i javës.
Dagz ishte në nominim me të dashurën e tij, Einxhel, dhe nominimi erdhi si një zinxhir shpëtimi mes banorëve, ku ata të dy mbetën të fundit.
E para që nisi zinxhirin e shpëtimeve ishte këngëtarja Beatrix Ramosaj, e cila ka shpëtuar nga nominimi prezantuesen Egzona Rafuna, teksa kjo e fundit ka shpëtuar të dashurin e Beatrixit, aktorin Donald Veshaj.
Kështu me radhë banorët kanë vazhduar të shpëtojnë njëri-tjetrin, duke lënë nominim dy të fundit çiftin Einxhel dhe Dagz, të cilët janë revoltuar në masë të madhe me këtë zgjedhje të tyre.
E çuditshme për publikun u cilësua zgjedhja e këngëtares Ramosaj, e cila ka pasur një raport shumë të mirë me Dagzin, por zgjodhi të shpëtonte një banore tjetër.
Madje disa javë më parë, Beatrix ishte ngritur në këmbë e revoltuar dhe i kishte thënë Dagzit se do të dilte me të nëse eliminohej (bëhet fjalë kur ai ishte në nominim me Ilirin dhe Einxhelin, nga një zgjedhje e bërë nga Donaldi). Ajo madje kishte bërë be në kokë të nënës së saj.
“Pasha këtë natë, nuk e gëzoj jetën, dal me ty javën tjetër”, kishte thënë Beatrix, duke tentuar madje që t’i japë biletën e saj të fatit, në mënyrë që ai të kishte dy bileta me mundësi kthimi në rast se largohej.
E duket se një moment të tillë ia kujtoi edhe opinionisti i mbrëmjes, Arbër Hajdari, i cili u shpreh: “Çfarë do të bëjë Beatrix tani?”, duke shtruar kështu pyetjet nëse do të dalë bashkë me Dagzin apo jo.
Ramosaj e tregoi mërzinë e saj për eliminimin e DJ-it nga Kosova duke shpërthyer në lot, teksa qëndroi në shtëpi, ku tani këtë javë është e nominuar së bashku me Donaldin dhe Einxhelin, dhe njëri prej tyre do të largohet nga Big Brother VIP të premten. /Telegrafi/