Site icon Telegrafi

Momenti kur autobusi në Kinë përplaset në rrethojën mbrojtëse dhe përfundon në liqen – humbin jetën 21 persona

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën, kur një autobus përfundoi në një liqen artificial në qytetin kinez Anshun në jugperëndim të këtij vendi.

36 persona tjerë janë shpëtuar dhe dërguar me urgjencë në spital për tretman, kurse ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar operacionin e kërkim-shpëtimit, transmeton Telegrafi.

Në mesin e pasagjerëve kanë qenë edhe nxënës të një shkolle të mesme, të cilët ishin nisur për në provimin e maturës.

Siç raportojnë mediat kineze, shoferi i autobusit në mënyrë të befasishme ishte kthyer në të majtë, duke u përplasur në rrethojën mbrojtëse e cila nuk i rezistoi përplasjes dhe autobusi përfundoi në ujë.

Kur autobusi u nxor nga uji, brenda tij nuk ishte as edhe një njeri – e banorët e asaj zone kanë deklaruar se sirenat e ndihmës së shpejtë janë dëgjuar në tërë lagjet e qytetit.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autobusi përplaset në rrethojë dhe përfundon në ujë. Gjithçka ngjan me skena të frikshme të filmave. /Telegrafi/

 

Exit mobile version