Amerikania Jessi Combs, 39-vjeçe, humbi jetën në fund të muajit gusht derisa po tentonte të thyente rekordin e saj të shpejtësisë.
Videoja e filmuar në shkretëtirën Alvord në Oregon shfaq momentet e saj të fundit. Megjithatë mbetet të konfirmohet siç shihet në video nëse përplasja ka shkaktuar ndezjen e zjarrit brenda veturës që ishte, transmeton Telegrafi.
Jessi Combs në tetor të vitit 2013, ishte bërë femra e parë në botë që lëviz me shpejtësinë më të madhe me veturë, duke arritur kështu shpejtësinë maksimale prej 631 kilometra në orë në North American Eagle.
Eagle është një veturë e prodhuar nga pjesë të ndryshme të aeroplanit F-104 “Lokheed Startfighter”. Kurse hulumtuesit shpresojnë se të dhënat e kompjuterit të veturës do t’iu ndihmojë të përcaktojnë shkakun e këtij aksidenti të tmerrshëm.
Në anën tjetër, anëtarët e familjes së Jessi kanë bërë të ditur se ajo ka vdekur e rrethuar nga më të dashurit e saj.
“Na la duke vozitur më shpejtë sesa çdo femër tjetër në histori të njerëzimit”, thuhet në komunikatën e familjes së të ndjerës. /Telegrafi/