Telegrafi

Momente komike në konferencën e Furyt dhe Seferit, një person ndërhyn dhe u kërkon duel

(Foto: Getty Images)

Konferenca për shtyp e Tyson Furyt dhe Sefer Seferit është shoqëruar edhe me momente komike, pasi është ndërprerë nga një person i njohur si ‘Wealdstone Raider’, i cili i kërkoi përballje fillimisht britanikut dhe pastaj shqiptarit.

Dy boksierët do të përballen të shtunën mbrëma (9 qershor) në Manchester Arena, ndërsa siç është e zakonshme, të mërkurën kanë dalë për të dhënë deklaratat e tyre para gazetarëve.

Fury dukej shumë i disponuar në këtë konferencë, ndërsa gjërat u bënë akoma më interesante kur personazhi i njohur si ‘Wealdstone Raider’ (emri i të cilit është Gordon Hill) e ndërpreu konferencë për t’i kërkuar duel fillimisht britanikut.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth meçit FURY vs SEFERI

“A dëshiron të rrehesh? Ta jap unë. Mendon se mund të përballesh me mua?”, ishin fjalët e tij drejtuar Furyt, i cili ia ktheu: “Padyshim që jo” dhe bëri me shenjë kah Seferi duke i thënë: “Rrihe atë në vend timin”.

‘Raider’ pastaj u kthye kah Seferi, i cili u çua në këmbë dhe i tha: “Hajde”, ndërsa e gjitha përfundoi si një shaka e pëlqyeshme.

‘Wealdstone Raider’ apo Gordon Hill u bë i famshëm para pesë vitesh kur një video, në të cilën shfaqej duke i tallur tifozët kundërshtarë në një ndeshje të Wealdstone FC, u bë hit në internet.

Ndërsa Fury dhe Seferi ia dhanë një tjetër mundësi që të rikthejë famën në rrjetet sociale. /Telegrafi/