Momentalisht në mënyrë ligjore përgjohen 188 numra telefoni. Këtë e konstatoi komisioni kuvendar për ndjekjen e përgjimit gjatë vizitë së parë në Agjencinë Teknike Operative.
Megjithatë, komisioni kuvendar kreu vetëm vëzhgime normative, përkatësisht kishte qasje te kërkesat e institucioneve për përgjim, i shqyrtoi urdhrat e gjykatës për zbatimin e kësaj mase dhe dokumentet e arkivuara, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Por, aspekti teknik mbetet pa monitorim për shkak të mungesës së ekspertëve teknikë të cilët ende nuk janë të angazhuar. Për shkak kësaj, komisioni kuvendar nuk mund të vërtetojë nëse ATO përgjon edhe në mënyrë ilegale.
Kryetari i komisionit kuvendar, Emil Dimitriv, thotë se në këtë rast përgjegjësia bie mbi ata të cilët anuluan procedurat për angazhimin e ekspertëve, duke aluduar te Kuvendi.
Drejtori i ATO, Zoran Angellovski, shtoi se Agjencia për momentin ka 22 të punësuar ku i mbulojnë të gjitha pozicionet për funksionimin e këtij institucioni./Telegrafi/