Telegrafi

Molliqaj: Sot në Bruksel, Kosovës iu bënë edhe dy dëme të pariparueshme nga Albin Kurti

Në Bruksel po mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Qysh në fillim të takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

E pas këtij zhvillimi ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai përmes një reagimi në Facebook ka thënë se sot në Bruksel, Kosovës iu bënë edhe dy dëme të pariparueshme nga Albin Kurti.

Së pari, ai thotë se “Kosova u barazua me Serbinë, duke u trajtuar si dy palë të barabarta në krimet që janë kryer në vendin tonë”.

Lexo po ashtu BE publikon Deklaratën për të Zhdukurit, të cilën e miratuan Kurti dhe Vuçiq

Kurse dëmi i dytë sipas Molliqajt është pranimi i termit persona “të zhdukur me forcë” në vend të “të zhdukur me dhunë”.

“Pranimi i termit persona “të zhdukur me forcë” në vend të atij “të zhdukur me dhunë” (që është term juridik i pranishëm në konventat kundër krimeve të luftës), shfajëson Serbinë si
shtet nga përgjegjësia për zhdukjen e personave të pagjetur”, shkroi ai në Facebook.

“Asnjë fitore për Kosovën. Veç degradim. Veç koncesione. Dhe filma për qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar tutje kryetari i PSD-së./Telegrafi/