Site icon Telegrafi

Molliqaj i reagon Kurtit, e quan “megaloman”

Një debat në rrjetet sociale ka shpërthyer së fundi ndërmjet kryetarit të VV-së, Albin Kurti, dhe dikur partnerit të tij të afërt, Dardan Molliqaj, tash deputet i PSD-së.

Ishte Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili përmes një shkrimi në Facebook, tha se ata që kanë iniciuar Projekt-Rezolutën për dialog me Serbinë, janë në mandatin e tyre të fundit, të cilin e kanë të pamundur ta çojnë deri në fund.

Sipas tij, ata (PSD),nuk do të mund të bëhen më president, kryeministër, ministër i jashtëm, kryetar komune dhe deputetë.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi Dardan Molliqajt.

Ai përmes një statusi e ka quajtur  “megaloman” Albin Kurtin, duke theksuar se ai po e dëshmon në vazhdimësi “paranojën”.

“Që gjithë kjo ushtimë është e orkestruar nga vetë kryetari i VV-së dhe megalomania e tij e tregon postimi i tij i fundit në të cilin e dëshmon paranojën e tij që kinse të gjithë qenkan nën një jorgan që punon kundër dëshirës së tij për të ardhur në pushtet dhe e sjell në pah kompleksin e tij hyjnor se kinse ky po e ditka kush do të bëhet deputet apo kryetar komune”, shkroi Molliqaj.

Tutje tha se bashkëpunimi i VV-së me LDK-në e kanë si qëllim vetëm ardhjen në pushtet.

“Dëshira e VV për të qenë së bashku me LDK-në zgjidhja e problemit, që e bëri të pashmangshme rezolutën e PSD’së, tregon veç që qëllim nuk e kanë zgjidhjen e problemit, por ardhjen në pushtet. Ardhjen në pushtet duke i përdorur shkaktarët e problemit si vegël dhe Isa Mustafa duke e heshtur vazhdimisht faktin që ai e bëri Thaçin President po përpiqet t´ia lehtësojë Albin Kurtit bashkëpunimin me të, për mos të thënë përdorimin apo shfrytëzimin e tij dhe për ta hutuar opinionin publik ata vazhdojnë dhe ushtojnë”, shkroi Dardan Molliqaj./Telegrafi

Exit mobile version