Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në një konferencë për media ka theksuar se ndaj tyre po zhvillohet një betejë speciale.
Molliqaj ka theksuar se kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të një beteje, që sipas tij po zhvillohet në mes dy grupeve të rëndësishme në Kosovë.
“Në njërën anë është Klani Pronto që ka kap në çdo cep institucionet e Kosovë, dhe në anën tjetër kemi qytetarin dhe subjektet opozitare në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje. Klani Pronto ka për qëllim me vazhdua jetën e vet, kapjen e institucioneve dhe dobësimin dhe shkatërrimin e të vetmes opozitë demokratike në vend”, ka thënë Molliqaj, transmeton Telegrafi.
Duke folur për arrestimin e gjashtë aktivistëve të kësaj lëvizje të cilët dyshohen se kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, Molliqaj ka theksuar se “në kohën kur Sllobodan Gavriq i cili u akuza për terrorizëm, në momentin kur u kap me një sasi të madhe të eksplozivit, asnjëherë policia nuk e ekspozoi atë sasi të eksplozivit, as veturën me të cilën tentoi të ikë personi në fjalë e madje as një konferencë nuk e mbajti”.
Molliqaj ka theksuar se kjo është një luftë speciale e cila po bëhet ndaj Vetëvendosjes.
Ai ka deklaruar se asnjëri prej aktivistëve të arrestuar nuk ka qenë i përfshirë në këto akte, dhe në fund do të dal e vërteta se pushteti po mundohet në çdo mënyrë ta shuajë opozitën dhe Vetëvendosjen./Telegrafi/