Telegrafi

Molliqaj: PSD në sondazhe ka mbështetje prej 7%, AAK ka rritje ndërsa LDK e VV rënie (Video)

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se PIPS nuk shquhet për sondazhe të sakta dhe sipas tij PSD qëndron më mirë në sondazhe.

Molliqaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në bazë të sondazheve të besueshme ngritje në sondazhe në tre muajt e fundit kanë pasur vetëm PSD dhe AAK, ndërsa rënie kanë pasur LDK dhe sidomos Vetëvendosje.

“Ka lëvizje elektorale shumë më tepër se që janë paraqitur në sondazhet e PIPS. Skena politike është shumë më ndryshe. Në sondazhe me 3 mijë respodentë PSD ka mbi 7 %, ndërsa me sondazhe që kanë pasur 1 mijë respodentë PSD ka diku 4%”.

Deputeti i PSD-së ka thënë se një kompani që bën sondazhe të vazhdueshme çdo tre muaj, nuk ka publikuar sondazhin e marsit pasi disa subjekteve politike nuk u ka konvenuar rezultati.

“Ajo që mund t’iu sigurojë se në bazë të matjeve për tre muajt e fundit, trendi për PSD-në është rritës dhe negativiteti për të është në rënie. AAK-ja është rritur më së shumti ndërsa Vetëvendosje ka rënë më së shumti”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Molliqaj ka thënë se disa parti kanë mbetur në kuota të njëjta ndërsa shumica kanë pësuar rënie.

“Seriozisht në sondazhe janë dëmtuar LDK dhe veçanërisht Vetëvendosje. Ngritja kanë pasur vetëm AAK dhe PSD”, tha ndër të tjera dardan Molliqaj./Telegrafi/