Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj pas pezullimit të vendimit për taksën prej pesë euro për automjetet tha se u zëvendësministri Hysen Durmishi dhe gjithë të tjerët të përfshirë në këtë çështje duhet të dorëhiqen.
Molliqaj në një postim në Facebook shkruan se dhuna e përdorur ndaj tyre disa ditë më parë në aksionin e realizuar nga PSD-ja nuk është e rastësishme.
Sipas tij, pavarësisht pezullimit të marrëveshjes, kallëzimi penal i PSD-së duhet të shqyrtohet me prioritet, dhe nënshkruesi i saj të marr dënimin konform ligjeve të vendit, ndërsa lidhur me këtë sot PSD ka mbajtur edhe një aksion simbolik.
Lexoni të plotë statusin:
Marrëveshja u pezullua, zhvatja u konfirmua
U konfirmua që ne dhe të gjithë ata që e kundërshtuam këtë marrëveshje kishim të drejtë.
U konfirmua që dhuna e përdorur ndaj nesh nuk ishte e rastësishme por e qëllimshme. Sepse pushtetit të Kurtit i dhemb shumë kur e sulmon aty ku duhet, kur ia zbulon zhvatjen e buxhetit.
U konfirmua që kur ke të drejtë, pavarësisht a je ”i vogël” apo i madh, në fund triumfon.
Nënshkruesi i kësaj marrëveshjeje zhvatëse, zv. ministri Hysen Durmishi dhe gjithë të tjerët të përfshirë në këtë marrëveshje duhet të dorëhiqen menjëherë.
Pavarësisht pezullimit të marrëveshjes, kallëzimi penal i PSD-së duhet të shqyrtohet me prioritet, dhe nënshkruesi i saj të marr dënimin konform ligjeve të vendit.
Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen në rezistencën tonë kundër kësaj marrëveshjeje. Kjo është vetëm fitorja e parë kundër këtij pushteti populist.
Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezulloj vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.
Lajmin e ka bërë të ditur, zv.ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Për vendosjen e tiketës ngjitëse ka pasur kundërshtime nga partitë opozitare. /Telegrafi/