Site icon Telegrafi

Molliqaj: Kurti u dorëzua, pranoi marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe e ka pranuar marrëveshjen.

“Albin Kurti u dorëzua. E pranoi marrëveshjen. Borell e konfirmoi këtë zyrtarisht e publikisht. Ambasadori i Kosovës lëshoi FAKE NEWS përmes mediumit ku ka punuar, në funksion të propagandës së pushtetit. E Kosova zyrtarisht mori obligim ligjor, sonte, me dakordimin e Albin Kurtit, që të pranojë një marrëveshje të dëmshme që Asociacionin e ka në qendër”, ka shkruar Molliqaj.

“Ditët në vijim vazhdojnë negociatat për datat e zbatimit të Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera. Por ditëve në vijim do të vazhdojë rezistenca qytetare kundër kësaj marrëveshjeje. Dorëzimi i Albin Kurtit nuk do të jetë edhe dorëzim i Kosovës!”, ka shkruar Molliqaj.

Lexo po ashtu Kurti pas takimit në Bruksel: Jemi në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit këtyre dy vendeve.

Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars./Telegrafi/

Exit mobile version