Site icon Telegrafi

Molliqaj: Kurti ka degraduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se qasja kokëfortë e kryeministrit Albin Kurti në dialog me Serbinë ka qenë e gabuar dhe e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-në.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Molliqaj thotë se drejtimi që ka marrë procesi i dialogut është shumë i rrezikshëm, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e Kosovës.

“Kurti me këtë negocim që e ka bërë për këto dy vite të qeverisjes së tij, me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë, e ka degraduar pozicionin e Kosovës edhe në raport me ndërkombëtarët, edhe në raport me Serbinë, e ka faktorizuar në mënyrë të jashtëzakonshme relacionin Serbi-Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë e ka përshpejtuar themelimin e entitetit politik serb në Kosovë”, ka theksuar Molliqaj.

Ai ka thënë se plani franko-gjerman është vetëm në favor të Serbisë dhe nuk duhet të pranohet nga Kosova, edhe nëse pranohet nga Kurti.

“Kur të publikohet plani franko-gjerman, bashkë me aneksin e zbatimit, aty do ta shihni që i ka veç dy vlera, të dyja në shërbim të Serbisë. E para, pranimi i kornizës së dialogut që s’do ta kërkojë njohja, jo sot po as në të ardhmen, nga Serbia’ dhe e dyta zbatimi i Asociacionit. Çështjet e tjera janë periferike dhe të parëndësishme”, ka theksuar Molliqaj.

Tani, Molliqaj shpreh frikën se saga e dialogut do të vazhdojë edhe për shumë vite. Thotë se Kosova nuk do ta fitojë as në të ardhmen njohjen nga Serbia.

Molliqaj thotë se PSD-ja e kishte parashikuar që sa kohë se qasja dhe kokëfortësia e Kurtit “kinse për ta ruajtur fytyrën para votuesve të vet” do të sillte këtë situatë shumë të disfavorshme për Kosovën.

Dardan Molliqaj, ka shtuar se udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, Albin Kurti e Vjosa Osmani, janë munduar të përdorin taktika të gabuara, duke tentuar që “ta tregojnë fytyrën e vërtetë të Serbisë”.

Sipas tij, Kurti e Osmani kanë menduar se perëndimi do ta bombardojë Serbinë, vetëm pse ata po thonë se presidenti Vuçiq është “Putini i vogël”.

Exit mobile version