Site icon Telegrafi

Molliqaj kritikon LDK-në: Është hera e dytë që i ofrohet me shërbime pushtetit

Dardan-Molliqaj-interviste-foto-Ridvan-Slivova

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës duke thënë se “po i afrohet me shërbime pushtetit”.

Molliqaj ka përmendur dy raste kur sipas tij, LDK-ja ka vepruar në shërbim të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kësaj here duke mos i dhënë votat për ta dërguar në Kushtetuese çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Hera e parë ishte vota në Kuvend për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme”, ka shkruar i pari i PSD-së në Facebook.

Ai tutje ka thënë se pushteti autoritar nuk bën dot pa veglat e tij.

“Prokuroria është organi i akuzës, prandaj e do me çdo kusht, me çdo çmim. Nuk jemi në fillimin e mandatit, nuk janë 100 ditët e para. Pushteti e ka dëshmuar qëllimin e tij me drejtësinë: kapje me çdo kusht. Duan dominim politik në KPK përmes anëtareve që zgjidhen nga Kuvendi. Kjo nënkupton që dora e kryeminsitrit mbërrin deri te Kryeprokurori, edhe atë ligjërisht. Nuk janë fshehur, vazhdojnë njëjtë edhe pas goditjes nga Komisioni i Venecias, edhe pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Në fund, Molliqaj është shprehur se “nuk mund të jetë rrugë e re një teknologji llogaritare që e çon partinë në shërbim të shërbyeses me titull presidencial”.

“Kohët e errëta kanë ardhur jo vetëm prej prej atyre që s’kanë parë, kanë ardhur sidomos prej atyre që kanë heshtur sepse kanë menduar për vete”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version