Site icon Telegrafi

Molliqaj: Janë dënuar katër aktivistë të PSD-së me nga 200 euro, nuk do t’i paguajmë dënimet

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se Policia e Kosovës ka dënuar katër aktivistë të PSD-së, me nga 200 euro, për shkak të aktivitetit protestues.

Molliqaj po ashtu ka thënë se për më pak se 1 muaj, atyre u janë shqiptuar gjoba në vlerë 1600 eurove për shkak të aksioneve politike, transmeton Telegrafi.

“Sot, rastësisht morëm vesh se 4 aktivistë të PSD-së jemi dënuar me nga 200 euro gjobë për aktivitetin protestues që e kemi mbajtur në ndërtesën e kryeministrisë ku tregonim pabarazitë e pakos ekonomike të qeverisë. Asnjë njoftim zyrtar nuk e kemi marrë për këtë dënim dhe arsyet e tij.

Për më pak se 1 muaj, na janë shqiptuar gjoba në vlerë të 1600 eurove për shkak të aksioneve politike publike të cilat i kemi organizuar si parti politike. Në të gjitha rastet është respektuar distanca dhe mbajtja e maskave. Nuk kemi shkaktuar asnjë rrezik lidhur me përhapjen e pandemisë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Kreu i PSD-së tutje ka shkruar se “ jemi dëshmitarë të një çasje diskriminuese dhe krejtësisht të pabarabartë të institucioneve.

“LDK dhe VV, përgjatë tërë kohës po vazhdojnë fushatën në Besianë duke organizuar tubime e takime pa asnjë masë, dhe nuk po dënohen”.

Molliqaj ka theksuar se nuk do t’i paguajnë dënimet, pasi që sipas tij, ato janë të padrejta.

“Dënimet që na janë shqiptuar neve janë tërësisht të padrejta dhe si të tilla unë nuk do t’i paguaj. Në mungesë të masave të duhura, qeveria ka zgjedhur përndjekjen dhe policimin e qytetarëve. Kjo është e papranueshme. E drejta e protestës nuk guxon të cënohet në asnjë mënyrë. Çdo tentativë për të mbytur kundërshtimet përmes gjobave do të jetë e paefektshme”./Telegrafi/

Exit mobile version