Site icon Telegrafi

Molliqaj: Albin Kurti shko në Hagë e dëshmo

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë së Lëvizja Vetëvendosje tash e një kohë po deklaron se presidenti, Hashim Thaçi po e negocion një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, për të shpëtuar vetën nga Gjykata Speciale.

Molliqaj ka thënë se sipas Kurtit, Thaçi është fajtor për krime lufte dhe prandaj po ikën prej gjykimit, transmeton Telegrafi.

“Shko Albin… VV ka kohë që thotë se Hashim Thaçi po e negocion një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, për ta shpëtuar kështu veten nga Gjykata. Në këtë qëndrim, presupozimi është i qartë. Sipas Kurtit, drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi qenka i fajshëm, pra paska bërë krime lufte dhe prandaj po ikën prej gjykimit”, ka thënë Molliqaj.

Tutje, ai në reagimin e tij të bërë në Facebook ka shkruar se kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk sheh asgjë tjetër përtej interesit politik.

“Albin, tashmë e kemi kuptuar që nuk sheh asgjë tjetër përtej interesit tënd politik. Dikur thoshe se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzojë njerëzit e UÇK-së. Për ta realizuar këtë interes, sot je në anën e atyre që akuzojnë UÇK-në. Në anën e atyre që e shohin me përçmim luftën për liri. Je vendosur në anën e atyre që luftën e UÇK-së e shohin si një shpërthim agresiv e të dëmshëm të disa katundarëve. Albin, çfarë di ti për krimet e UÇK-së kur iu drejtove Hashim Thaçit me sugjerimin për të shkuar në Hagë? A din edhe për ndonjë tjetër, apo veç për drejtuesin politik? Siç duket, tash për tash ky po ta zë rrugën”, thotë ai.

Molliqaj ka kërkuar nga Kurti që të shkojë në Hagë e të dëshmojë.

“Shko Albin thuaj të gjitha, sepse edhe ashtu, me qëndrimet e tua, e ke vendosur veten në anën e atyre që duhet të ftohen si dëshmitarë. Merri me vete edhe kolegët e tjerë të partisë: Shkelzenin, Fatmiren, Liburnin, Hakiun etj. sepse në bazë të qëndrimeve të tyre, edhe ata duket se dijnë shumë. Shko Albin, dhe trego që gjykimet politike bëhen të pranueshme vetëm atëherë kur t’i eliminojnë kundërshtarët politik. Shko dhe trego që drejtësia edhe mund të jetë selektive përderisa të shërben ty. Shko Albin se kompleksi yt me historinë atje shërohet. Atje po e rishkruajnë historinë”.

“Tregoju në Hagë se historia duhet të ndryshohet, sidomos aty ku ti nuk je protagonist. Trego se ajo duhet të rishkruhet, sidomos në pjesët ku emri yt nuk përmendet”.

Ndryshe, Specialja ka njoftuar se tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kinse për krime luftë në Kosovë. Ndërkaq, presidenti të hënën në një adresim për qytetarë ka thënë se nëse aktakuza konfirmohet atëherë ai do të jap dorëheqje./Telegrafi/

Exit mobile version