Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë se Agjencia kosovare e Forenzikës nga analizimi i të gjitha pajisjeve që u janë sekuestruar aktivistëve të akuzuar për terrorizëm, nuk ka gjetur asnjë provë që do të dëshmonte lidhjen e tyre me sulmin në Kuvend.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se pajisjet e sekuestruara të aktivistëve nuk u janë kthyer ende.
“Kjo dëshmon që bastisjet e aktivistëve dhe paraqitja bombastike mediale e pajisjeve të tyre gjoja si prova, kanë qenë montime politike për efekte mediale. Ditëve në vijim do të publikoj edhe faktet e tjera të dokumentuara që dëshmojnë se aktivistët e arrestuar tash e 136 ditë po mbahen politikisht dhe pa asnjë provë”, shkruan Molliqaj në Facebook. /Telegrafi/