Site icon Telegrafi

Moldavia dëshironte të luante në Udine ndaj Kosovës, por italianët nuk i lejuan shkaku i Serbisë

Kosova do të luajë në 4 shtator kundër Moldavisë, ndeshje që do të zhvillohet në Parma, ndërsa sipas moldavëve, ata kanë pasur dëshirë ta zhvillojnë ndeshjen në Udine.

Moldavia nuk ka pranuar të luajë në Kosovë, pasi nuk na njeh si një shtet të pavarur dhe për këtë arsye takimi do të luhet në një terren neutral.

Zëvendëspresidenti i Federatës Moldave të Futbollit, Dragos Hincu, ka folur më tepër rreth organizimit të kësaj ndeshjeje.

Ai zbulon se ideja e tij ishte të luhej në Udine, por ka qenë Italia ajo që e ka rrëzuar këtë mundësi, duke qenë se është pranë Serbisë dhe mund të sillte probleme.

“Në të vërtetë, është hera e parë që ne, si nikoqirë, të luajmë jashtë vendit, duke pasur parasysh që marrëdhëniet midis Moldavisë dhe Kosovës janë specifike, ne nuk e njohim shtetin e Kosovës si një subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare”.

“Përkatësisht, ne nuk mund ta prisnim ekipin kombëtar të Kosovës në Republikën e Moldavisë dhe duhej të kërkonim një terren neutral. Vërtet dëshironim të luanim në Rumani, por as fqinjët tanë nuk e njohën shtetin e Kosovës”.

“Pastaj vendosëm të organizonim ndeshjen në Itali, një vend ku kemi një diasporë shumë të madhe. Ne e morëm parasysh këtë dhe shpresuam që situata pandemike të ndryshonte dhe të ishim në gjendje të luanim me spektatorë në tribuna. Dëshironim të kishim shumë bashkëatdhetarë në tribuna, por fatkeqësisht do të luajmë pa spektatorë”.

“Fillimisht kemi menduar ta luajmë këtë ndeshje në Udine, një qytet ku jetojnë shumë moldavë. Por autoritetet italiane janë shprehur kundër idesë, duke qenë se Udine është afër Serbisë dhe mund të sillte probleme“, ka deklaruar Hincu.

Ndeshja mes Moldavisë dhe Kosovës zhvillohet nesër nga ora 20:45 dhe do të jetë ndeshja hapëse e jona për Ligën e Kombeve. /Telegrafi/

Exit mobile version