Telegrafi

Moise Kean do të vazhdojë kontratën me Juventusin, më së shumti nga marrëveshja e re fiton agjenti Mino Raiola

Moise Kean. (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Kampioni në fuqi i Italisë, Juventus pritet ta blindojë talentin e saj të ri Moise Kean.

Sulmuesi i talentuar italian ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit si me fanellën e Juventusit ashtu edhe me Kombëtaren e Italisë.

Por kontrata aktuale e Kean me Zonjën e Vjetër skadon në verën e vitit 2020 dhe kjo ka alarmuar zyrtarët e klubit torinez.

Drejtori sportiv i klubit, Fabio Paratici do të takohet javën e ardhshme me agjentin e lojtarit Mino Raiola për ta konfirmuar marrëveshjen e re.

Calciomercato ka raportuar se Kean dhe Raiola janë pajtuar me kontratën e re pesë vjeçare me Juventusin.

Moise Kean. (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

Lojtari do të ketë një rritje të madhe të rrogës, nga 500 mijë sa fiton në vit në tre milionë euro pagë vjetore.

Ndërkohë mirë do të fitojë edhe Mino Raiola, agjenti i futbollistit që do të marrë 3,5 milionë euro dëmshpërblim për komision.

Për Kean interesim kishte shfaqur edhe gjiganti francez PSG që gjithashtu i kishte premtuar shpërblim të madh Raiolas, por duket se dëshira e sulmuesit italian ka qenë të mbetet pjesë e Juventusit. /Telegrafi/