Site icon Telegrafi

Mohimi i masakrës së Reçakut nga ministri serb, Osmani: Tendencat e Vulinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili e ka cilësuar masakrën e Reçakut si një gënjeshtër.

Osmani ka thënë se “ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Milosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme”.

“Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vulinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, ka thënë Osmani.

Më tej ajo ka thënë se “përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Milosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vulini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vulinit dhe bashkëmendimtarëve të tij”.

“Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera,  NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”.

Ndryshe. mohimi i masakrës së Reçakut nga zyrtarët serbë ka nxitur reagime të shumta nga ndërkombëtarët. Ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili e quajti masakrën e Reçakut si “gënjeshtër”, kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili ishte i pari që vizitoi vendin ku ndodhi masakra. /Telegrafi/

Exit mobile version