Site icon Telegrafi

Mogherini: BE-ja dënon rritjen e kërcënimeve dhe shkeljeve ndaj gazetarëve dhe medias profesionale

Federica Mogherini

Shtypi i lirë është qenësor për të pasur një demokraci që funksionon – ka deklaruar Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini në ditën botërore të lirisë së shtypit duke theksuar se kjo ditë sot festohet në një kontekst të vështirë për gazetarinë.

Liria e shprehjes dhe liria e shtypit janë nën sulme gjithnjë e në rritje në mbarë botën.

Mediat e lira, të larmishme dhe të pavarura janë të domosdoshme për promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë në mbarë botën. Një shtyp i lirë dhe liria e shprehjes janë ndër themelet e njëjta të demokracisë, kontribuojnë në shoqëri të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe fleksibile dhe mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve dhe ndaljen e konflikteve – ka shtuar ajo duke vënë në dukje se BE-ja mbështet zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm për vitin 2030, i cili përfshin sigurimin e qasjes universale në informacion dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Mbështetja e gazetarisë së pavarur, cilësore dhe etike është thelbësore, ka thënë ajo duke shtuar se lehtësimi i rrjedhës së lirë të informacionit cilësor dhe të hulumtuar mirë mbi çështje me interes publik dhe duke vepruar si “mbikëqyrës i publikut”, mediat e pavarura janë baza e një demokracie pjesëmarrëse dhe një mjet për t’i mbajtur qeveritë të përgjegjshme për veprimet e tyre. BE-ja siguron që respekti për lirinë e shprehjes të integrohet në të gjitha politikat dhe programet e zhvillimit të BE-së. BE-ja në masë të madhe financon projekte specifike në vendet e treta që rrisin cilësinë e gazetarisë, qasjen në informimin publik dhe lirinë e shprehjes. Që nga qershori i vitit 2015, BE-ja ka mbështetur të paktën 45 mbrojtës të rrezikuar të të drejtave të njeriut që promovojnë të drejtën e lirisë së shprehjes në kuadër të skemës së granteve të vogla – ka përmbledhur ajo.

Më pas ajo ka thënë se BE-ja dënon rritjen e kërcënimeve dhe shkeljeve ndaj gazetarëve dhe medias profesionale jashtë rrjetit dhe në hapësirën kibernetike. Të gjitha shtetet pritet të përmbushin detyrimet e tyre globale për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve duke ofruar një mjedis ligjor mbështetës dhe duke ndjekur penalisht të gjitha sulmet ndaj gazetarëve. BE-ja kundërshton vazhdimisht, në kontakte dypalëshe me vendet e treta si dhe në forume shumëpalëshe dhe rajonale , çdo legjislacion, rregullore ose presion politik që kufizon lirinë e shprehjes dhe ndërmerr hapa konkretë për të parandaluar dhe reaguar ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe blogerëve.

Udhëzimet e BE-së për lirinë e shprehjes në mediat elektronike dhe të shkruara, të miratuara në vitin 2014 dhe zbatimi i tyre i vazhdueshëm, riafirmojnë vendosmërinë e BE-së për të nxitur lirinë e mendimit dhe të shprehjes si të drejta që duhet të ushtrohen nga të gjithë kudo, bazuar në parimet e barazisë, mos diskriminimit dhe universalitetit, përmes çdo mediumi dhe pavarësisht nga kufijtë, përfundon deklaratën e saj, përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini.

Exit mobile version