Ish-drejtori i Juventusit, Luciano Moggi, është befasuar nga angazhimi i Napolit brenda dhe jashtë fushës, ndërsa beson se Khvicha Kvaratskhelia vlen dhjetëfish më shumë se që paguan Partenopei.
Lideri i Serie A pagoi 10 milionë euro në verë për anësorin gjeorgjian, të cilin e transferoi nga Dinamo Batumi, me shpresën se do ta zinte vendin e lënë bosh nga Lorenzo Insigne, i cili shkoi te Toronto FC.
Por, 21-vjeçari i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë duke kontribuuar drejtpërdrejtë në 21 gola (nëntë gola dhe 12 asistime) në 20 paraqitje këtë edicion në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.
Në një bisedë me Radio Kiss Kiss Napoli, Moggi ka thënë se e ka kontaktuar Aurelio De Laurentiisin për ta uruar për punën me Napolin: “Pas të premtes, ia dërgova një mesazh De Laurentiisit duke e uruar për fitoren, por mbi të gjitha për mënyrën si e menaxhon klubin”.
Më pas, ish-shefi i Zonjës së Vjetër i dha opinionet e tij në lidhje me Kvaratskhelia dhe vlerën e tij në treg.
“Është gjithmonë e neveritshme t’u japësh vlera lojtarëve, sepse ai është po aq i fortë sa ata që shesin. Por, padyshim që ai vlen më shumë se 100 milionë euro.
“Sepse nëse Lukaku kushton kaq shumë dhe ai nuk mund ta ndalë një top, atëherë ata që kanë teknikë duhet të vlejnë më shumë”, ka theksuar Moggi. /Telegrafi/