Telegrafi

Modric zbulon prapaskenën me portugezin: Ronaldo më ka uruar për çmimin, por unë preferoj të fitoj me ekipin

Modric u zgjodh lojtari i vitit nga UEFA

Luka Modric është shpallur lojtari më i mirë në Evropë nga UEFA.

Mesfushori kroat pati një vit të jashtëzakonshëm si me Real Madridin ashtu edhe me Kombëtaren e Kroacisë.

Modric arriti të fitojë Ligën e Kampionëve me madrilenët ndërsa ishte më meritori që Kroacia arriti në finalen e Kupës së Botës.

Kroati kishte fituar këtë çmim në konkurrencë me Cristiano Ronaldon i cili nuk mori pjesë në ndarjen e çmimeve.

Por ka qenë vetë Luka Modric që ka zbuluar se është uruar nga ylli portugez për çmimin e fituar.

“Kam një raport të mirë me Ronaldon dhe do të vazhdoj ta kem”.

“Ronaldo më ka uruar për çmimin e fituar me një mesazh të dërguar në telefon ku gjithashtu më tha se shpreson të takohemi së shpejti”, u shpreh Modric.

Por kroati ka thënë se preferon më shumë çmimet me ekipin se sa ato individuale.

“Çmimet individuale janë të bukura, por unë preferoj më shumë ato me ekipin pasi mendoj se grupi është mbi gjithçka”, tha Modric.

Përveç se u shpall lojtari më i mirë në Evropë, Modric mori edhe çmimin si mesfushori më i mirë i edicionit të kaluar në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/